FODA: NUK LUJMË PËR BARAZIM, KOSOVA KA ARDHUR NË DUBLIN PËR FITORE!
16/11/2026 21:11
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur para ndeshjes së rëndësishme të nesërme ndaj Republikës së Irlandës, e cila zhvillohet në Dublin në kuadër të Ligës së Kombeve.
Foda e cilësoi përballjen si shumë të vështirë dhe me intensitet të lartë, duke pranuar se Irlanda ka nevojë vetëm për fitore, ndërsa Dardanëve u mjafton edhe një barazim për objektivin e tyre.
Megjithatë, trajneri gjerman ishte i qartë për qasjen e Kosovës në këtë takim.
"Në futboll nuk luhet për barazim, por gjithmonë për fitore", deklaroi Foda.
Ai gjithashtu konfirmoi se futbollistët që ka në dispozicion janë të gatshëm dhe në formë të mirë, duke shprehur besimin se lojtarët që do të jenë në formacionin startues do të japin maksimumin.
Në fund, Foda foli edhe për atmosferën që pritet në Dublin, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së tifozëve, por nënvizoi se synimi kryesor është që Kosova të imponojë lojën dhe ritmin e saj në fushë.
Dardanët nesër kërkojnë një tjetër paraqitje të madhe përballë Irlandës!
🌐 kosovascore.com
Përmbajtja ekskluzive e KosovaScore.com mbrohet nga Ligji Nr. 08/L-205; kopjimi ose ripublikimi pa lejen tonë do të ndiqet ligjërisht.