El Clásico thyen rekordin: Barcelona arkëton mbi 19 milionë euro nga një ndeshje
27/10/2026 09:00
El Clásico thyen rekordin: Barcelona arkëton mbi 19 milionë euro nga një ndeshje
“El Clásico” mes Barcelonës dhe Real Madridit vendosi rekord të ri financiar në “Spotify Camp Nou”, duke gjeneruar 19.105.768 euro. Shifra tejkaloi për rreth 2.6 milionë euro rekordin e mëparshëm prej 16.465.731 eurosh, të vendosur në muajin maj.
Rekordi u arrit përkundër faktit se ndeshjen e ndoqën 62.055 spektatorë, 158 më pak se në përballjen e mëparshme. Të ardhurat u rritën falë çmimeve dinamike dhe rreth pesë mijë vendeve VIP. Sipas raportimeve, çmimi mesatar i biletave të shitura ishte 984 euro pa TVSH, ndërsa vendet VIP kushtuan mesatarisht 2.727 euro.
Klubi bëri të ditur se 86% e publikut përbëhej nga abonentët sezonalë, anëtarët dhe shoqëruesit e tyre. Edhe dyqani i stadiumit vendosi rekord, duke arkëtuar mbi 800 mijë euro vetëm të dielën, ndërsa koleksioni i përbashkët me “Spotify” dhe Tyler, The Creator regjistroi shitje të jashtëzakonshme.
Potenciali financiar pritet të rritet edhe më shumë pas përfundimit të punimeve në “Camp Nou”, kur stadiumi do të ketë kapacitet prej rreth 104 mijë vendesh dhe një numër dukshëm më të madh hapësirash premium.
Përmbajtja ekskluzive e KosovaScore.com mbrohet nga Ligji Nr. 08/L-205; kopjimi ose ripublikimi pa lejen tonë do të ndiqet ligjërisht.