Dinamo nuk e lë vetëm pas lëndimit të rëndë – Leutrim Rexhepi me mesazh prekës për klubin
23/10/2026 15:02
FC Dinamo Ferizaj ka treguar solidaritet dhe përkushtim ndaj portierit Leutrim Rexhepi, i cili pësoi këputje të plotë të tendinit të Akilit gjatë ndeshjes kundër Ferizajt. Rexhepi u detyrua të largohej nga fusha me ambulancë, ndërsa më pas iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Klubi ferizajas i ka qëndruar pranë gjatë gjithë kësaj periudhe, duke i ofruar mbështetje atij dhe familjes së tij. Bota Sot
Pas operacionit, portieri falënderoi publikisht Dinamon për përkrahjen e treguar në një nga momentet më të vështira të karrierës së tij. Rexhepi theksoi se pikërisht në situata të tilla kuptohet se futbolli nuk është vetëm lojë, por edhe respekt, solidaritet dhe njerëzi.
“Faleminderit që më qëndruat pranë kur kisha më së shumti nevojë. Këtë gjest dhe këtë përkrahje nuk do t’i harroj kurrë. Mirënjohës për ju, FC Dinamo”, ishte mesazhi i portierit.
Dinamo i ka uruar rikuperim sa më të shpejtë Rexhepit, ndërsa portierin e pret një periudhë rehabilitimi para rikthimit në fushën e blertë.
Galeria
Përmbajtja ekskluzive e KosovaScore.com mbrohet nga Ligji Nr. 08/L-205; kopjimi ose ripublikimi pa lejen tonë do të ndiqet ligjërisht.