FBK SHQIPTON 3,050 EURO GJOBA PAS XHIROS SË 8-TË, PEJA DHE YLLI NDËSHKOHEN RËNDË!
12/11/2026 14:24
Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar vendimet disiplinore për ndeshjet e xhiros së 8-të në Superligë, ku klubet dhe basketbollistët janë ndëshkuar me gjoba financiare dhe suspendime.
Në total, shuma e gjobave të shqiptuara arrin në 3,050 euro, ndërsa në mesin e klubeve të dënuara janë Peja, Golden Eagle Ylli dhe Vëllaznimi.
Dënimin më të madh e ka marrë KB Peja, e cila është gjobitur me 1,000 euro për lëshimet në organizimin e ndeshjes ndaj Prishtinës dhe hedhjen e mjeteve piroteknike. Gjatë takimit, një petardë kishte goditur në shpinë një pjesëtare të stafit të skuadrës mysafire.
Ndëshkim ka marrë edhe basketbollisti i Prishtinës, Malcolm Armstead, i cili është gjobitur me 400 euro dhe një ndeshje suspendim për provokimet ndaj shikuesve vendas në çerekun e katërt.
Në anën tjetër, Golden Eagle Ylli është gjobitur me 700 euro për hedhjen e mjeteve piroteknike nga tifozët gjatë ndeshjes ndaj Bashkimit, situatë që kishte detyruar ekipet të largoheshin në dhomat e zhveshjes.
Përveç klubit, gjoba financiare kanë marrë edhe basketbollistët e të dy skuadrave:
- Artin Gashi (Ylli) – 100 euro
- Khalil Shabazz (Ylli) – 100 euro
- Connor Withers (Ylli) – 50 euro
- LaQuincy Rideau (Ylli) – 50 euro
- Adrio Bailey (Bashkimi) – 100 euro
- Valmir Kakruki (Bashkimi) – 100 euro
- Shannon Shorter (Bashkimi) – 50 euro
Ndërkohë, KB Vëllaznimi është gjobitur me 400 euro, në bazë të nenit 50.17 të Propozicioneve të Garave.
FBK ka bërë të ditur se klubet dhe personat e ndëshkuar kanë të drejtë ankese brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit, kundrejt pagesës së depozitës prej 500 eurosh.
🌐 kosovascore.com
Përmbajtja ekskluzive e KosovaScore.com mbrohet nga Ligji Nr. 08/L-205; kopjimi ose ripublikimi pa lejen tonë do të ndiqet ligjërisht.